Lajme Shqip Tuesday, 13 March 2012 09:10

Londër – Disa diplomatë në Kabul po shqyrtojnë mundësinë për skenar të apokalipsit në Afganistan, sipas të cilit presidenti afgan, Hamid Karzai refuzon t’u lejojë këshilltarëve ushtarakë amerikanë të mbeten në vend pas planifikimeve për tërheqjen e ushtrive të huaja për vitin 2014, shkruan gazeta britanike “Daily Telegraph”.

Uashingtoni, shkruan gazeta, më shumë se një vit negocion me Kabulin për kushtet për tërheqjen ushtarake nga Afganistani dhe tani më ekzistojnë druajtje se prezenca afatgjate e këshilltarëve amerikanë dhe forcave speciale mund të bëhet viktimë e krizës, e cila u ndez pas djegies së ekzemplarëve të Kuranit në një bazë ushtarake të SHBA-së në Afganistan dhe pas vrasjes së 16 civilëve afganë nga ana e një ushtari amerikan.

Pa mbështetjen e instruktorëve amerikanë për trajnim, shton gazeta, forcat afgane me motivim të dobët do të kenë vështirësi të mbajnë madje edhe nivel të kufizuar të sigurisë dhe Afganistani mundet sërish të kalojë në luftë civile.

Ky megjithatë është skenari më i errët, i cili po shqyrtohet, por jo edhe i vetmi, shkruan “Daily Telegraph” dhe shton se Karzai është president i dobët, i cili është i vetëdijshëm për nevojën që e ka nga mbështetja e SHBA-së që ta ruajë pushtetin dhe ta mbrojë jetën personale.

Sipas gazetës rreziku nuk është në vendimin e Karzait për mos lejimin e qëndrimit të ushtarëve amerikanë, por në atë që politikanët amerikanë mund të sjellin një vendim të tillë, duke e pasur parasysh atë që vazhdimisht vlerësojnë nëse duhet të përshpejtohet tërheqja.