Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 10:50

Bruksel – Kreu i Eurogrup, Zhan Klod Junker, u shpreh dje i kënaqur për përparimin që ka bërë Greqia ditët e fundit.

Pas telekonferëncës së zhvilluar dje mes 17 ministrave të Eurozonës, kreu i Eurogrup tha se megjithatë para ditës së hënë nuk do të merret ndonjë vendim për Greqinë.

“Greqia ka bërë ‘përparim thelbësor’ për të bindur vendet e eurozonës se duhet të marrë fonde të reja ndihme, por ka të ngjarë që asnjë vendim të mos merret deri të hënën”, deklaroi Junker.

Ai sqaroi se Eurogrup ka marrë garanci të forta, të ofruara nga liderët e dy partive të koalicionit në qeverinë greke, për vazhdimësinë e zbatimit të masave.

Treshja paraqiti analizën e saj për qëndrueshmërinë e borxhit publik të Greqisë dhe, negociatat teknike midis Greqisë dhe Treshes kanë çuar në identifikimin e masave të nevojshme për sigurimin e 325 milionë euro kursime shtesë.

Në përfundim, Junker deklaroi bindjen e tij se “Eurogroup do të jetë në gjendje të marrë të gjitha vendimet e nevojshme të hënën, në datën 20 shkurt”.

Eurogrup duhet të miratojë sa më shpejt marrëveshjen për Greqinë, sepse vendi në mes të marsit duhet të paguajë këstin e huasë, pa harruar edhe pagat e pensionet, në të kundërt falimentimi është shumë pranë.