Lajme Shqip Sunday, 05 February 2012 20:00

Berlin – Kreu i Eurogrup Jan Klod Junker kërcënon se ekziston mundësia që Greqia të mos e përfitojë paketën e dytë të ndihmës dhe të falimentojë.

Kryetari i Eurogroup theksoi se ndihma në Greqi “nuk do të jepet me çdo kusht”. “Në qoftë se ministrat e financave të eurozonës e konsiderojnë se gjithçka po shkon keq në Greqi, nuk do të ketë një paketë të re, gjë që përfshin shpalljen e falimentimit në mars”, tha Presidenti i Eurogroup në një intervistë për revistën gjermane Der Shpigel.

Junker theksoi se Greqia duhet të zbatojë reformat e nevojshme, ndryshe “nuk duhet të presë aktet e solidaritetit.” Ai vuri theksin sidomos në vonesat tek privatizimi që ka vërejtur Brukseli. “Greqia duhet ta dijë se ne nuk e harrojmë çështjen e privatizimit,” tha ai.

Ndërkaq Treshja qëndron e palëkundur në kërkesat e saj të ashpra, kurse ministri Venizelos deklaroi dje gjatë një telekonference me ministrat e Financave të Eurozonës, se “jemi në teh të briskut. Çdo gjë duhet të jetë e mbyllur deri në mbrëmje të dielën”.

Venizelos bëri të ditur se janë arritur marrëveshje për një sërë çështjesh si rikapitalizimi i bankave, trendi i privatizimit etj, por kanë mbetur hapur çështje të tjera si marrëdhëniet e punës, të ardhurat në sektorin privat dhe masat fiskale për 2012. Ministri shtoi se “në të dyja çështjet, megjithatë kemi arritur të ta zvogëlojmë fushëveprimin e bisedime.” (LajmeShqip.com)