Lajme Shqip Tuesday, 16 October 2012 18:19

Beograd – Kryetari i Partisë Liberal Demokratike (LDP), Çedomir Jovanoviq ka vlerësuar se presidenti Tomisllav Nikoliq me deklaratat e veta po orvatët që përgjithmonë ta shkatërrojë perspektivën e Serbisë dhe shansin për t’u bërë shoqëri paqësore dhe moderne evropiane.

Pas deklaratës së Nikoliqit se Serbia do ta zgjedh Kosovën nëse nga BE e merr kërkesën zyrtare që të deklarohet ose për Kosovën ose për BE, Jovanoviq e akuzon presidentin serb se është nisur rrugës së rrezikshme të uzurpimit të pushtetit, duke u orvatur që me eksese dhe deklarata të përditshme njëherë e përgjithmonë ta shkatërrojë perspektivën e vendit.

Patriotizmi i Nikoliqit për këtë shkak sot është hipokrit dhe jo i sinqertë. Deklaratat e flakta që i jep nga pozicioni i presidentit të Serbisë, janë direkt mohim i premtimeve që ua ka dhënë në fushatën elektorale qytetarëve dhe nënkuptojnë fundin politik të Serbisë ka vlerësuar Jovanoviq për agjencinë e lajmeve Beta.

Ai ka cekur se qytetarët e Serbisë nuk janë të detyruar dhe nuk do të durojnë që të ndalët procesi i evropianizimit të Serbisë për shkak se njëherë veç kanë kaluar nëpër ferr, duke e paguar çmimin e politikës së shembujve dhe liderëve të Nikoliqit në të kaluarën.

Jovanoviq ka thënë se Nikoliq ka qenë nënkryetar i Qeverisë dhe pjesë e regjimit, i cili e ka humbur Kosovën dhe ka kapitulluar në luftën kundër botës në të cilën më parë palogjikshëm e futi vendin dhe “nga ai moment, nga ai terr i Serbisë në disa luftëra humbëse të fundit gjatë viteve të nëntëdhjeta, Serbia nuk ka kontroll efektiv mbi Kosovën ”.

Nga ana tjetër drejtori i Qendrës për Politikën e Re, Vladimir Todoriq, ka vlerësuar se paraqitjet e fundit të përfaqësuesve të pushtetit vënë në pah se Serbia gjendet në fillim të konfliktit me Bashkimin Evropian rreth Kosovës dhe se rritja e këtij kontesti do të kishte pasoja të mëdha për ekonominë dhe qytetarët.

”Nëse do të futeshim në konflikt serioz me BE-në rreth Kosovës, e veç jemi në fillim të kësaj, jam i sigurt se ata do të gjenin mënyrë që edhe me anë të kthimit të vizave dhe me anë të suspendimit të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe bllokimit të Fondit IPA, të ushtrojnë trysni të mjaftueshme mbi Qeverinë”, ka thënë Todoriq.

Ai konsideron se Qeveria e re dhe presidenti Nikoliq duhet të përcaktohen qartë ndaj problemit të Kosovës para se të ulën në tryezë negociatore me BE dhe shqiptarët e Kosovës.

Sipas tij është joreale tash të pritet ndarja e Kosovës, kur mundësia tjetër është që veriu i Kosovës, ku serbët janë shumicë, të fitojë autonomi, duke shtuar se problem është fakti se autonomia do të ishte në kuadër të Kosovës së pavarur. (LajmeShqip.com)