Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 14:57

Sana – Të paktën shtatë njerëz janë vrarë sot në Jemen kur forcat lojale të presidentit Ali Abdulla Saleh u përleshën me forcat e gjeneralit Ali Mosen Al-Ahmar, i cili kaloi në anën e opozitës.

Njëkohësisht, më shumë se dhjetëra mijë demonstrues u mblodhën në protesta në tërë vendin, duke kërkuar nga Saleh të largohet nga pushteti pas 32 viteve sundim me shtetin.

“Policia mbrëmë vonë sulmoi një postbllok ushtarak në provincën Amran, kur edhe humbën jetën katër policë”, deklaroi një përfaqësues i policisë, ndërsa dëshmitarët pohojnë se ushtria sot në pjesën jugore të vendit ka vrarë dy demonstrues dhe ka plagosur edhe disa në Adena.

Në Adena ushtarët hapën zjarr mbi demonstruesit të cilët gjuanin gurë dhe kishin bërë barrikada për t’i penguar ushtarët që të patrullojnë nëpër rrugë.

Krahas reformave demokratike dhe ekonomike, demonstruesit kërkojnë nga Saleh dhe djemtë e tij, të cilët janë në funksione kyçe të politikës dhe të sigurisë, të përgjigjen para ligjit.

Demonstruesit u betuan se çdo të mërkure dhe të shtune do të mbajnë protesta në tërë vendin deri në mposhtjen e Salehit.

Nga fillimi i protestave më 11 shkurt në Jemen janë vrarë më shumë se 100 njerëz.