Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 09:20

Shkup – Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska deklaroi dje se targat e reja për automjetet duhet të jenë të gatshme në fillim të vitit të ardhshëm.

“Targat e reja të regjistrimit do të fillojnë të jepen pas përfundimit të tenderit në të cilin do të zgjidhet ofruesi më i volitshëm për përpunimin e tyre. Procedura është në vijim dhe besoj se me afatet ligjore për ankesa dhe vendimet plotësuese ajo të përfundojë deri në fillim të vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se në fillim të vitit të ardhshëm qytetarët do të mund t’i marrin targat e tyre të reja”, tha Jankulloska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës në Sektorin për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale.

Me targat e reja, siç theksoi Jankulloska, nuk do të ketë ngarkesë plotësuese financiare për qytetarët sepse nuk do të ndërrohen targat ekzistuese.

“Qëllimi ynë është që qytetarët të mos ngarkohen me shpenzime plotësuese. Qytetarët nuk do të jenë të obliguar t’i ndërrojnë targat e vjetra, por do të mund t’i shfrytëzojnë derisa të vlejnë, gjegjësisht derisa nuk i humbin ose nuk paraqitet nevoja që ato të ndërrohen. Kjo do të thotë që nuk do të ketë ngarkesë plotësuese financiare për shoferët, por për të gjithë ata të cilët do të kenë automjet të ri dhe duhet të marrin targa të reja”, theksoi Jankulloska.

Ajo shtoi se targat e reja do të jenë me mbrojtje të rritur dhe sipas shumë gjërave do të jenë të ngjashme me ato që shfrytëzohen në Bashkimin Evropian.