Lajme Shqip Monday, 19 March 2012 10:10

Strazburg-Nëse Serbia dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian (BE), i një rëndësie vendimtare është vazhdimi i dialogut me Prishtinën, por edhe ta përfundojë me sukses atë, tha në një intervistë për FoNet Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Torbjorn Jagland, i cili vlerëson se marrëveshjet përfundimtare do të arrihen hap pas hapi.

Duke folur për çështjen e Kosovës, Jagland ka thënë se do të duhej lejuar të zhvillohet dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të shkohet hap pas hapi në këtë proces.

Ai ka thënë se do të ishte gabim që tash të bisedohet për epilogun përfundimtar të dialogut, duke rekomanduar se do të ishte më pragmatike të shkohet ngadalë dhe në fund të procesit të gjendet zgjidhje përfundimtare e problemit, citon Blic.

I pyetur në lidhje me idetë e ndarjes së Kosovës, të autonomisë për veriun e saj, Jagland citohet të ketë thënë se nuk është mirë të paragjykohen gjërat, sepse kjo mund të jetë e dëmshme për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit si dhe për procesin e pajtimit në rajon.