Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 10:00

New York – Zëvendëskryeministri izraelit Silvan Shalom bëri thirrje për përforcim të sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit, me qëllim që Teherani të bindet për t’i dhënë fund programit kontestues bërthamor.

Shalom, i cili është për vizitë në New York, u takua me sekretarin e përgjithshëm të KB-së Ban Ki-mun, me të cilin bisedoi për çështjen bërthamore iraniane, situatën në Siri dhe negociatat e bllokuara me palestinezët.

“Irani duhet sa më shpejtë t’i jep fund programit të tij bërthamor” theksoi Shalom në konferencën për media pas takimit me Ban Ki-mun.

Ai e përshëndeti vendimin e mëparshëm të BE-së dhe SHBA-së për t’i përforcuar sanksionet kundër Iranit.

“Dëshirojmë të besojmë se nëse këto sanksione janë mjaft konkrete, atëherë do t’i detyrojmë iranianët të heqin dorë nga programi bërthamor” theksoi kryeministri izraelit.

Ai refuzoi t’u përgjigjet disa pyetjeve të gazetarëve për sulmet eventuale izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Sipas Shalom, “Irani dëshiron ta ringjallë Perandorinë persiane dhe sërish të bëhet fuqi botërore, kësaj radhe me armë bërthamore”.

“Nëse iranianët mund të ndërtojnë regjimin e Lindjes së Afërt, ta kontrollojnë  pasurinë e naftës  në rajon dhe të prodhojnë bombë atomike, atëherë ata besojnë se sërish do të jenë fuqi botërore” shtoi Shalom.