Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 10:57

Shkup – Bashkimi dhe veprimi i përbashkët është mënyra e vetme për përballje me sfidat globale – krizën ekonomike dhe recesionin potencial botëror, ndryshimet klimatike, rreziqet nga mungesa e ushqimit dhe resurseve, porositi presidenti Gjorge Ivanov në fjalimin gjatë hapjes së Forumit të 14-të ekonomik, euroaziatik, që nën norganizim të Fondacionit Marmara, mbahet në Stamboll.

“T’i lëmë pas vetes të gjitha mospajtimet historike dhe ta përforcojmë dialogun dhe bashkëpunimin. Të punojmë me përkushtim në përforcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve tona, duke e cekur secilin kontribut tonin individual, duke e investuar atë në të cilën jemi më të mirët”, ka thënë Ivanov, duke shtuar se vetëm përmes bashkëpunimit të shtuar rajonal, investimit të koordinuar në zhvillim të gjelbër dhe të qëndrueshëm, do të arrihet të çrrënjoset varfëria, të pakësohen rreziqet dhe të trasohet ardhmëria e sigurt dhe e parashikueshme.

Ai ka shfaqur bindje se të gjithë të pranishmit kanë qëllimin e njëjtë – të mundësojnë jetë më të mirë dhe perspektiva për qytetarët e vet dhe kushtet më të mira në të cilat do të mund të realizohen idetë intelektuale dhe afariste.

“Republika e Maqedonisë vazhdimisht po punon në përmirësimin e klimës afariste dhe kushteve për punë, si për vendorët, ashtu edhe për ndërmarrjet e huaja. Qëllimi ynë është arritja e zhvillimit stabil ekonomik, zhvillimit të sektorit privat, tërheqja e investimeve dhe hapja e vendeve të reja të punës. Qëllimi im si president është t’i hap dyert dhe të krijoj kushte për bashkëpunim të zmadhuat ekonomik”, ka thënë Ivanov.

Sipas tij, Forumi në Stamboll, qëllimi i të cilit është t’i ndërlidhë lindjen dhe perëndimin dhe të mundësojë diskutim për çështjet jashtëzakonisht të rëndësishme gjeostrategjike dhe gjeopolitike, do të mundësojë debat të frytshëm, këmbim të mendimeve dhe mundësi bashkëpunimi.