Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 17:41

Shkup – Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov për të dielën në vilën presidenciale “Vodno” caktoi takim të ri të liderëve në të cilin janë të ftuar kryetarët e partive më relevante politike në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Ivanov pas takimit të djeshëm në të cilin nuk morën pjesë liderët e LSDM-së Branko Cërvenkovski dhe i Demokracisë së Re Imer Selmani, theksoi se qëllimi ka qenë të nxitet dialogu politik që të tejkalohen çështjet e hapura politike lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, bojkotimi i Parlamentit dhe ripërtërirja e dialogut pushtet-opozitë.

Shefi i shtetit iu la mundësi të hapur Cërvenkovskit dhe Selmanit që për të dielën t’i ftojnë ata persona për të cilat konsiderojnë se duhet të jenë të pranishëm në takimin e liderëve.

Pjesëmarrjen në takimin e liderëve të dielën e konfirmuan Gruevski dhe Ahmeti. Ata e porositën Cërvenkovskin se nuk bëhet fjalë për takim privat, por për takim në interes të qytetarëve.

“Në kohë kur kemi paralajmërim për zgjedhje të jashtëzakonshme, kur na presin vendime serioze për zhbllokimin e të gjitha çështjeve me të cilat bllokohet procesi euroatlantik i Republikës së Maqedonisë, kur na presin çështje serioze të lidhura me regjistrimin, dhe kemi çështje për të cilat duhet të arrijmë marrëveshje përmes dialogut, mendoj se është përfundimisht joserioze që të refuzohet ftesë e presidentit të shtetit, i cili niset para se gjithash nga interesat e shtetit dhe interesat e qytetarëve të Maqedonisë”, tha presidenti Ivanov.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Gruevski duke shprehur keqardhje që edhe krahas të gjtiha përpjekjeve të presidentit Ivanov, Cërvenkovski megjithatë nuk erdhi në takim, potencoi se kjo është indikator se LSDM-ja dëshiron t’i bojkotojë zgjedhjet me çdo çmim.

“Pavarësisht se sa prej kërkesave të tyre do të përmbushim, ata janë të vendosur të mos dalin në zgjedhje. Kjo është zgjidhje e Cërvenkovskit sepse është në pyetje karriera e tij dhe për këtë arsye është i vendosur të gjejë mënyrë që të mbetet lider i LSDM-së. E dinë se nëse del në zgjedhje do të përjetojë humbje,”, deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së Gruevski pas takimit.

Kryetari i BDI-s, Ahemeti theksoi se BDI-ja nuk ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, por partitë opozitare dhe për këtë arsye ata duhet të sillen në mënyrë të përgjegjshme.