Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 10:21

Shkup – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov të martën do të marrë pjesë dhe do të flasë në hapjen e Sesionit të tretë të Platformës globale për uljen e rreziqeve nga katastrofat, e cila deri më 13 maj mbahet në Gjenevë.

Temë kryesore e Sesionit të tretë, organizuar nga Strategjia ndërkombëtare e KB-së për pakësimin e katastrofave, është “Investo sot për të nesërme më të sigurt-investim i shtuar në aksionin lokal”. Ndër temat janë edhe rikuperimi dhe ulja e rreziqeve pas katastrofave – në suaza të Konferencës botërore për rikonstruksion, ekonomi për pakësimin e rreziqeve nga katastrofat dhe përforcimi i aleancave për adaptim drejt ndryshimeve klimatike dhe zhvillimit. Në margjinat e konferencës, presidenti Ivanov do të ketë takim me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, ku pritet të bëhet fjalë edhe për procesin për tejkalimin e dallimeve ndërmjet Shkupit dhe Athinës rreth emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë që po zhvillohet nën patronatin e Organizatës botërore. Ivanov, informojnë nga kabineti i tij, Ban Ki-munit do t’ia tregojë tërë gatishmërinë e Maqedonisë për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme të ndërsjellë dhe do ta konfirmojë rolin e saj konstruktiv në proces sepse shteti po i vuan pasojat nga ky problem, të cilat po reflektohen në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Ivanov do t’i bëjë thirrje Ban Ki-munit që të insistojë që edhe ana e dytë e këtij procesi t’i përmbahet në mënyrë strikte kornizës për atë që po bisedohet, ndërsa ajo është në pajtueshmëri me Rezolutën e KB-së 817 dhe Marrëveshjes kohore.

Presidenti Ivanov në takim do ta informojë Ki-munin për Samitin e vendeve nga EJL-ja për pakësimin e rreziqeve nga katastrofat dhe adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike që planifikohet të mbahet në Maqedoni në maj të vitit 2013 dhe do të kërkohet mbështetje për kandidaturën e vendit në Këshillin për të drejta të njeriut në periudhën 2013-2016. Sesioni i tretë i Platformës globale për pakësimin e rreziqeve nga katastrofat përputhet me kryesimin e Maqedonisë me Forumin evropian për pakësimin e rreziqeve nga katastrofat këtë vit, funksionet themelore të së cilit janë: të jetë vend ku këmbehen përvojat dhe praktikat e mira për pakësimin e rreziqeve nga katastrofat, të mbështetet aksioni efektiv në pakësimin e rreziqeve nga katastrofat përmes implementimit të Kornizës për aksion nga Hjogo dhe të krijojë Evropë më të sigurt përmes pakësimit të pasojave nga katastrofat natyrore.