Lajme Shqip Wednesday, 19 December 2012 09:24

Shkup – Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, në fjalimin e tij të fundvitit tha se në rajon akoma ekzistojnë individë me ide radikale që mendojnë për shtete të mëdha.

Ai tha se deklaratat për shtete të mëdha janë absurde dhe përdoren vetëm për përfitime politike. Edhe pse nuk ka përmendur emra, Ivanov duket se këto porosi i ka përcjellë në adresë të kryeministrit shqiptar Sali Berisha, lidhur me deklaratën e tij për bashkimin e shqiptarëve në një shtet, si dhe në adresë të kryeministrit Hashim Thaçi, për zotimin e tij se Kosova do të jetë guardian i të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë.

“Edhe gjatë këtij viti në drejtim të Republikës së Maqedonisë u hodhën deklarata absurde dhe ofenduese nga disa politikanë “kujdestarë” nga vendet fqinje, për marrëdhëniet tona ndërfqinjësore dhe ndëretnike, por ne nuk u provokuam. Në hapesirat tona, jo vetëm në Republikën e Maqedonisë, ka ende individë të cilët mendojnë për ide radikale dhe mite për shtete të mëdha”, deklaroi Ivanov.

“Këtyre ideve dua t’ju përgjigjem me thënien e njërit prej etërve te Europës, të madhit Kalegri, i cili para 90 vitesh tha se: ‘Ekziston vetëm një mundësi radikale për zgjidhje të drejtë dhe afatgjate për çështjen e kufijve të Ballkanit dhe kjo është jo ndryshimi, por heqje e atyre kufijve’”, vijoi ai.

Fjalimi i presidenti maqedonas në Kuvend u bojkotua nga deputetët e opozitës shqiptare. “Presidenti Ivanov nuk është president i Maqedonisë, por është president i vetëm një partie, gjegjësisht president i VMRO-së dhe punon direkt me direktivat e kryeministrit Gruevski. Presidenti Ivanov nënçmoi popullin shqiptar dhe historinë e tij duke mos shkuar në manifestimin qendror që organizohej në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar”, deklaroi Flamure Kreçi, deputete e Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Ndërkaq, opozita maqedonase që ishte prezente në sallë, disa herë reagoi gjatë fjalës së presidentit Ivanov duke e akuzuar atë se është shëndrruar në zëdhënës të kryeministrit Nikolla Gruevski. (T.CH/LajmeShqip.com)