Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 06:34

Shkup – Familja Jashari nga Kondova ka varrosur të shtunën djalin e vetëm Muhamet Jashari, i cili humbi jetën të premten, duke tentuar ta ndihmojë bashkëmoshatarin e tij maqedonas i cili ishte sulmuar nga dy huliganë tjerë.

Mijëra qytetarë dhe zyrtarë kishin ardhur në varrezat e fshatit për t’i dhënë aty lamtumirën e fundit djaloshit dhe për të ndarë dhimbjen me familjen e tij pas tragjedisë së djeshme.

Një 16-vjeçar e kishte rrahur deri në vdekje Muhamed Jasharin nga Kondova e Shkupit. Me një shufër hekuri ai i ka mëshuar në kokë. Policia ende nuk e ka gjetur vrasësin, por ka arrestuar një 18 vjeçar i cili kishte ardhur bashkë me dhunuesin të premten pasdite në shkollën e mesme “Zdravko Cvetkovski” në Shkup.
Ai që të shtunën do t’i dorëzohet gjykatësit hetues, pasi që MPB kundër tij ka ngritë padi penale për dhunë. Ndërkaq, arsyeja e grindjes ka qenë llogaritë e pa pastruara para disa javësh mes të lënduarit Darko dhe 18 vjeçarit që MPB e ngarkon atë si të akuzuar të dytë. Së pari ka pasur zënkë mes Darkos dhe 18 vjeçarit, ndërkohë që më vonë ka ardhur edhe djaloshi që dyshohet për vrasjen. Duke tentuar që ta ndalë grindjen mes Darkos dhe dy të rinjve, Jashari nga 16 vjeçari ka marrë goditje fatale në kokë. Tani për tani nuk është kërkuar kurrfarë përgjegjësie as nga sigurimi që prindërit e paguajnë që të mbajnë rend në shkollën “Zdravko Cvetkovski”, as edhe nga drejtorja e shkollës.

“Duhet të të kërkohet përgjegjësia nga ministria e arsimit, nga qyteti i Shkupit dhe nga shkollat e mesme. Sigurimi të mos bëhet vetëm brenda shkollës por edhe jashtë nëpër oboret e shkollës. Në mënyrë institucionale të zgjidhet sigurimi i shkollave e jo përmes agjencive të sigurimit”, ka thënë kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta.

Lidhur me incidentin ka reaguar edhe Lidhja e Nxënësve Shqiptarë (LNSH), duke kërkuar siguri më të madhe nëpër shkolla dhe dënime të ashpra për fajtorët e incidentit të djeshëm fatal.

“Deri kur në oborret e shkollave të mesme do të lejohet hyrja e personave që nuk i takojnë asaj shkolle. Kërkojmë më shumë siguri në shkollat tona. Nëse paguajmë që të ndjehemi të sigurtë, ne kerkojmë që të sigurohemi nga institucionet e larta, ose të vetëdijësohen më tepër agjencitë që sigurojnë shkollat”, ka thënë kryetari i LNSH-së, Qerim Bushi. Ndryshe, Muhamed Jashari nga Kondova është vrarë një ditë më parë në hyrje të ndërtesës së shkollës “Zdravko Cvetkovski”, ndërsa Qeveria e Maqedonisë ka dënuar vrasjen e tillë duke e konsideruar si një tragjedi të rëndë.

Ndërkohë, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) ka dënuar incidentin në shkollën e ndërtimtarisë “Zdravko Cvetkovski”, ku jetën humbi nxënësi Muhamet Jashari.