Lajme Shqip Sunday, 09 December 2012 22:02

Romë – “Kam bindjen se nuk mund të vazhdohej kështu dhe preferova që vendimin tim ta bëj të ditur menjëherë e kur tregjet ishin të mbyllura”.

Kryeministri italian Mario Monti shpjegon me pak fjalë vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen. Pas një takimi me Presidentin e Republikës, Giorgio Napolitano, dje në mbremje, ai bëri të ditur se do të lërë postin menjëherë pas aprovimit të ligjit për stabilitetin, që me fjalë të tjera do të thotë përpara festave të fundvitit.

Në këtë mënyrë zgjedhjet do të mund të zhvillohen që në shkurt dhe jo në prill siç ishin të planifikuara nëse Silvio Berlusconi nuk do të kishte luajtuar edhe njëherë një nga gurët e tij politikë duke vënë sërish kandidaturën si kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, pak kohë pasi pati thënë se do të tërhiqej.

Fillimisht partia e tij i hoqi mbështetjen qeverisë në Parlament, duke hapur praktikisht një krize politike, e më pas kryetari i Popullit të Lirisë, Silvio Berlusconi deklaroi “hyj në garë për të fituar, kërkuam një lider tjetër në gjirin e së djathtës, por nuk e gjetëm dhe jam i detyruar nga ndjenja e përgjegjësisë që të kandidoj për kryeministër”.

Tani shqetësimi mbetet për reagimin e tregjeve kur të hapen ditën e hënë. Nga ana tjetër një pjesë e mirë e eksponentëve politike të qendrës dhe të së majtës italiane e konsiderojnë kthimin e Berlusconit si një rrezik për Italinë.(T.CH/LajmeShqip.com)