Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 09:36

Romë – Njëmbëdhjetë imigrantë ilegalë, që supozohet se janë egjiptianë, humbën jetën gjatë mbytjes së varkës së tyre pranë bregut të ishullit italian Lampeduza, në pjesën jugore të Detit Mesdhe, transmetuan agjencitë botërore, duke iu referuar televizionit kombëtar.

Incidenti ka ndodhur gjatë situatës së tendosur në Lampeduza, ku kryeministri italian Silvio Berluskoni dje erdhi personalisht për vizitë në përpjekje që ta qetësojë situatën.

Mbi 6. 000 imigrantë ilegalë, nga të cilët numri më i madh janë nga Tunizia, për momentin ndodhen në ishull.

Autoritetet italiane filluan operacionin për transportimin e këtyre njerëzve me anije deri në rajonet e tjera, prej ku planifikojnë t’i kthejnë në vendet e tyre.

Berluskoni premtoi se Lampeduza do “të lirohet nga imigrantët ilegalë për 48 deri në 60 orë”.

Përfaqësuesit e së djathtës në pushtet në Itali, Alfredo Manotvano, sekretar shtetëror i punëve të brendshme, dhe Paolo Toazino, kryebashkiak i Mandurisë dhe anëtar i partisë së Berluskonit “Populli i lirisë”, dhanë dorëheqje në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë në rajonin jugor të varfër Pulia, që të dërgojë edhe 1. 400 imigrantë ilegalë, kanë transmetuar agjencitë.

Berluskoni, megjithatë, dje gjatë vizitës së Lampeduzës kumtoi se anija e parë me 1. 400 imigrantë ilegalë do të lundrojë në ishull dhe se këta njerëz do të dërgohen në qendër të Mandurisë.