Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 17:16

Milano-5 vjet burg për Silvio Berluskonin është pretenca e kërkuar nga prokurori i Milanos Fabio De Pasquale për ish kryeministrin e Italisë në procesin Mills.

Sipas prokurorit avokati Mills gënjeu për të mbuluar kryeministrin e atëhershëm. De Pasquale deklaroi se mbrojtja e Berluskonit ka mbetur në vitin 2006 dhe se teza e saj është e bazuar në dokumente të falsifikuara.

“Avokati britanik Mills organizoi operacione bankare të kushtueshme dhe të komplikuara për të penguar që të zbulohej e vërteta”-tha De Pasquale në gjykatë.

Berluskoni akuzohet se i ka dhënë 450 mijë euro Devid Mills në këmbim të dëshmisë së tij false në disa procese gjyqësore me të cilat përballej gjatë viteve 1990. Por Berluskoni ka mohuar tërësisht akuzat duke deklaruar se është thjesht një komplot i prokurorëve kundër tij. Megjithatë analistët thonë se kërkesa që manjati i medias italiane të burgoset është thjesht simbolike.

Edhe nëse Berluskoni dënohet, vështirë se do të futet në burg duke qënë se dënimet në Itali janë shumë të buta për personat mbi 70.

Berluskoni i cili vazhdon të jetë anëtar i parlamentit, pasi dha dorëheqjen nëntorin e kaluar, është i pandehur edhe në katër procese të tjera për rryshfet, mashtrim fiskal, seks me një prostitutë minorene, abuzim me pushtetin dhe për shkelje të sekretit shtetëror.(LajmeShqip.com)