Lajme Shqip Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 17:35

Aleati kryesor i Kryeministrit, Umberto Bossi, i bëri thirrje 75-vjeçarit që t’i hapë rrugë formimit të një qeverie teknike, që do të mundësonte përmirësimin e situatës tepër delikate financiare të vendit.

Ndonëse thirrje të mëparshme për dorëheqje nga figura të ndryshme politike janë injoruar, zëri i Bossi-t nuk mund të mos përfillet, duke qenë se Berlusconi arrin të formojë shumicën vetëm falë koalicionin me partinë e tij, “Lega Nord”.

Si rrjedhojë, në votimin për buxhetin, të mbajtur rreth orës 16:00, pas bojkotit të shumicës së deputetëve të Bossi-t, Berlusconi arriti të grumbullonte vetëm 308 vota, më pak se gjysma në Dhomen me 630 deputetë.

Ndërkohë, sipas të përditshmes “La Stampa” dhe disa mediave të tjera të mëdha, dorëheqja e Berlusconi-t do të lajmërohet gjatë mbrëmjes.

Kush mund të jetë pasardhësi i Berlusconit?

Për Italinë, nëse Berlusconi do të japë dorëheqjen, nuk do të jetë hera e parë që shkohet në qeveri teknike, popullore edhe në kriza të mëparshme ekonomike, si ajo e fillimit të viteve 1990. Mediat italiane ofrojnë listën e katër kandidatëve kryesorë që mund të pasojnë Kryeministrin aktual.

Mario Monti

Ish-Komisioneri Europian i Konkurrencës është një prej emrave më të lakuar. Në këtë detyrë, të cilët e mbajti ndërmjet viteve 1999-2004, ai fitoi nofkën “Super Mario”, për vendosmërinë me të cilën luftoi bankat e fuqishme rajonale gjermane dhe bashkimin e kompanive “General Electric” me “Honeyëell”.

Kredencialet e tij në Bruksel kanë origjinë që në mesin e viteve 1990, pasi shërbeu në periudhën 1995-99 si Komisioner i Tregut të Brendshëm dhe Shërbimeve. Aktualisht 68 vjeç, profesori Lombard i ekonomisë zotëron mbështetjen e figurave të mëdha politike italiane, si Gianfranco Fini dhe konsiderohet si një prej ekspertëve financiarë më të mirë në Europë.

Gianni Letta

I konsideruar gjerësisht si krahu i djathtë i Berlusconit, nëse Kryeministri do të largohet, Letta do të ketë avantazhin e mbështetjes së partisë më të madhe në vend. Një ish-gazetar dhe prezantues televizi, Letta ka qenë shefi i kabinetit të Berlusconit në tre prej qeverive të tij.

Lidhjet e 76-vjeçarit me Berlusconin datojnë që në fillimin e viteve 1980, kur ai u shndërrua në një biznesmen duke iu bashkuar grupit “Fininves”. Në vitin 2006, ai humbi në garën për president të Italisë, ndaj ish-drejtuesit të partisë komuniste, Giorgio Napolitano.

Angelino Alfano

Një prej “premtimeve” të politikës italiane, 41-vjeçar, Alfano ka avantazhin e energjisë dhe karizmës, ndërsa në rolin e Ministrit të Drejtësisë, është shndërruar në Ministrin më të ri në historinë moderne të Italisë.

Në të shkuarën, është vendosur shpesh nën presion nga mediat, për faktin që u bë nismëtar i një ligji që pengoi një ndjekje penale për Berlusconin në vitin 2009.

Një ndjekës besnik i Berlusconit që prej mesit të viteve 1990, avokati siçilian u shndërruar në lider të Partisë së Lirisë këtë verë, pasi partia e tij humbi në zgjedhjet vendore në Milano dhe Napoli, dy ish-bastione të këtij krahu politik.

Renato Schifani

Ashtu si kolegu i tij Alfano, Kryetari i Kuvendit është një avokat në profesion dhe prej kohësh besnik i Kryeministrit Berlusconi. Në vendin që mban, Schifani do të shndërrohej automatikisht në president të vendit në rast të vdekjes së 86-vjeçarit Napolitano.

61-vjeçar, Schifani gëzon disa avantazhe. Ai zotëron përvojën e mjaftueshme dhe njëkohësisht, është aq i ri sa duhet për të udhëhequr një qeveri teknike në këtë situatë të vështirë. Megjithatë, pritet të jetë e vështirë që opozita të miratojë këtë alternativë, pasi ashtu si Alfano dhe Letta, edhe Schifani është një bashkëpunëtor i ngushtë i Berlusconit.

Berlusconi: Kemi problem serioz me numrat

“Djema, të vendosim se cfarë do të bëjmë. Mesa duket kemi një goxha problem me numrat”.

Kjo është deklarata e kryeministrit Italian, Silvio Berluskoni drejtuar disa prej deputetëve të partisë së tij, PDL pas votimit të buxhetit Italian për vitin e ardhshëm.

Deklarata u lëshua pasi buxheti kaloi me vetëm 308 vota pro, në mungesë të aleatëve të Lidhjes së Veriut, parti e Umberto Bosit, që nga ana e tij i ka bërë thirrje publike Berluskonit të tërhiqet.