Lajme Shqip Friday, 30 August 2013 11:45

Beograd- Ish-shefi i Ushtrisë Jugosllave, gjenerali Dragolub Ojdaniq, i cili dje u lirua nga burgu i Hagës, ku i ka kaluar gati 11 vjet, thotë se nuk ka kurrfarë vërejtje në punën dhe kushtet e Hagës.

I pyetur se si ia ka dalë të gjejë gjuhën e përbashkët me pjesëtarët e akuzuar të UÇK-së, Ojdaniq tha se ata kanë qenë në katin e njëjtë dhe nuk ka kurrfarë vërejtje ndaj tyre.

“Duhet të jem plotësisht i ndershëm, nuk kam asnjë fjalë vërejtjeje ndaj sjelljes së tyre gjatë qëndrimit në paraburgim,. Asnjë fjalë. Ata kanë qenë shumë korrektë. Madje rregullisht kanë ardhur në festat tona. Silleshin bukur. Meqë ata nuk festojnë kremtet (fetare, vër. jonë) , kur festonin ditëlindjet atëherë i thirrnin të gjithë, ne shkonim. Njerëzit munden çdo gjë kur duan”, ka thënë Ojdaniq në një intervistë për gazetën “Veçernje novosti”, transmeton qik-u.

Në konstatimin se kur ka shkuar në Hagë ekzistonte problemi i Kosovës, tani që është kthyer gjithashtu, dhe si e sheh tani këtë, Ojdaniq tha të mos bisedojnë për këtë temë, sepse nuk mund të përgjigjet me dy fjali. “Kjo më prek në zemër. Ne këtë problem duhet ta zgjidhim. Ose – ose. Kështu nuk mund të zvarritet. Por jo gjithmonë në dëm të popullti serb”, ka thenë Ojdaniq.