Lajme Shqip Thursday, 13 August 2015 09:23

Ish-Presidenti i SHBA-ve, Jimmy Carter ka deklaruar se ka kancer, dhe se është duke iu përhapur në të gjithë trupin. 90-vjeçari i ishte nënshtruar një operacioni së fundmi për të larguar një masë të vogël, por mjekët kishin parashikuar një shërim të plotë.

Por, përmes një deklarate të shkurtër u shpreh se pikërisht operacioni i fundit në mëlçi kishte zbuluar se kishte kancer dhe se tani i është përhapur në të gjithë trupin.

Nuk është e qartë ende se çfarë lloji të kancerit ka dhe se kur ka filluar të përhapet, megjithatë familja Carter ka histori me kancerin pankreatik, që mund të ketë prekur edhe ish-Presidentin.

Presidenti Barack Obama, në emër të tij dhe të Zonjës së Parë, Michelle Obama, ka uruar shërim të shpejtë dhe të plotë për  Jimmy Carter-in.

 “Mendimet dhe lutjet tona janë me Rosalynn dhe të gjithë familjen Carter, të cilët do të përballen me këtë sfidë me të njëjtën vendosmëri të cilën e kanë treguar edhe më parë. Jimmy, ti je njeri i cili e merr veten shpejt, prandaj së bashku me amerikanët do t’ju mbështesim”, u shpreh Obama.

Demokrati Carter hyri në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1976, por u mund nga Ronald Regan katër vjet më vonë.