Lajme Shqip Saturday, 02 June 2012 12:20

Kajro (PLOTESUAR 15:00)- Ekipi mbrojtës i ish presidentit të Egjiptit, Hosni Mubarak, njoftoi se do të apelojë dënimin me burgim të përjetshëm, që iu shqiptua sot ish kreut egjiptian.

Nën akuzat për vrasjen e protestuesve Mubarak, si dhe ish ministri i brendshëm i Egjiptit Habib al-Adli u dënuan me burgim të përjetshëm. Gjyqtari, Ahmed Refat, ndërkaq, tha se rasti për korrupsion kundër dy djemve të Mubarakut, Ala dhe Gamal, është rrëzuar, derisa gjashtë ish-shefat e policisë u liruan.

Pas vendimit që është dhënë direkt në televizion,  ka shpërthyer kaosi dhe përleshjet brenda sallës së gjyqit. Mubarak, që është mbajtur nën mbikëyrjen e policisë në një spital, është dërguar në një burg jashtë Kajros.

Kanalet televizive arabe raportojnë se Mubarak është dërguar me helikopter nga gjykata në burgun Tora. Mubarak është udhëheqësi i parë arab që të gjykohet nga populli i tij në një gjykatë. (LajmeShqip.com)

***********************************

Kairo- Ish presidenti i Egjiptit Hosni Mubarak është dënuar me burgim të përjetshëm për bashkëpunim në vrasjen e protestuesve gjatë revoltës popullore vitin e kaluar, ku humbën jetën 840 njerëz. Në sallë ka shpërthyer zemërimi dhe ka pasur skena kaotike si pasojë e reagimit të publikut.

Mubarak është akuzuar për korrupsion, keqpërdorim të fondeve dhe dhënien e urdhrit për vrasjen e demostruesve pranverën e kaluar ku mbetën të vrarë 840 persona dhe u plagosën më shumë se 6000 mijë të tjerë, sipas Amnesty International. Edhe ish ministri i Brendshëm i Mubarak, Habib al-Adly është dënuar me burgim të përjetshëm në lidhje me vrasjen e protestuesve.

Mubarak dhe dy djemtë e tij ndodheshin në sallën e gjyqit në momentin e deklarimit të dënimit, por ata janë liruar nga akuzat për korrupsion megjithëse do të vazhdojnë të qëndrojnë në burg në lidhje me akuza të tjera më të vogla.

Njerëzit në sallë kanë reaguar gjatë dhënies së dënimit duke kërkuar dënim më të rëndë. Një pjesë janë ngritur mbi karriket e tyre dhe kanë tundur grushtet. Mes kaosit të krijuar, Mubarak dhe gjyqtari i seancës janë nxjerrë nga salla. Valë zemërimi kanë shpërthyer edhe kur u konfirmua rënia e akuzave për katër oficerë të lartë të policisë që, sipas turmës duhej të ishin dënuar lidhur me vrasjet e protestuesve. (LajmeShqip.com)