Lajme Shqip Tuesday, 11 August 2015 15:35

Grupi militant Shteti Islamik ka nisur një ofenzivë të re kundër rebelëve sirianë në veri të qytetit Aleppo, duke fituar terren afër kufirit Turqi-Siri.

Në këtë zonë,Turqia dhe Shtetet e Bashkuara kanë për qëllim të krijojnë zonë pa militantë, shkruan Reuters.

Dhjetëra luftëtarë nga të dy palët janë raportuar se janë vrarë gjatë luftimeve në qytetin Marea, i cili gjendet rreth 20 kilometra në jug të kufirit me Turqinë, ku sulmuesit vetëvrasës të Shtetit Islamik kanë shpërthyer katër makina-bombë brenda natës.

Sulmet në Marea janë pasuar me marrjen në kontroll të fshatit aty pranë Um Hosh nga Shteti Islamik, ka thënë Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut dhe një komandat i rebelëve.

Komandanti i rebelëve ka thënë se sulmet e fundit të Shtetit Islamik kanë qenë më të ashpërat në këto muajt e fundit.

“Situata në veri të Aleppos është e rëndë”, ka shtuar ai.

Vëzhguesi Sirian ka thënë se të paktën 25 rebelë dhe 8 militantë të Shtetit Islamik janë vrarë në Marea.