Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 08:55

Teheran – Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad deklaroi mbrëmë se Irani është i gatshëm për dialog, për programin bërthamor me fuqitë botërore dhe shpreson se negociatat do të japin rezultate.

“Zgjidhja më e mirë është bashkëpunimi. Shpresojmë se në takimet e ardhshme me fuqitë botërore, nëse do t’i ketë, do të fitohen rezultate të shpejta”, deklaroi ai në intervistën për televizionin shtetëror.

Ahmadinexhad i kritikoi forcat perëndimore për mungesë reagimi për letrën, të cilën Irani, në fillim të majit e dërgoi te përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton, në të cilën propozon vazhdim të negociatave për programin bërthamor iranian.

Zëdhënësja e Eshtonit deklaroi se, në letrën e Iranit, nuk ka asgjë të re dhe vazhdimi i negociatave nuk do të ishte i arsyeshëm.

“Ne shprehëm gatishmëri për dialog në disa fusha, bazuar në respektin reciprok. Ndoshta Eshton pret që ne ta pranojmë qëndrimin e saj. Por ai nuk është dialog, por diktat”, vlerësoi presidenti iranian.