Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 09:05

Vjenë – Irani nuk do të marrë pjesë në takimin e shteteve të Lindjes së Afërt javën e ardhshme në selinë e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) në Vjenë, në të cilën do të shqyrtohen angazhimet për një botë pa armë bërthamore.

Përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në ANEB, Ali Akbar Soltanie dha deklaratë pasi Këshilli menaxhues 35-anëtarësh i ANEB-it aprovoi rezolutën, në të cilën shpreh brengosje të madhe dhe e dënon Teheranin për programin e tij bërthamor. Irani i hodhi poshtë pohimet se planifikon të prodhojë armë bërthamore.

Ndërsa Izraeli tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim, i cili është paraparë për të hënën dhe të martën.

Soltaine deklaroi se është i pakuptimtë të organizohet një takim i këtillë derisa Izraeli ka armë bërthamore.

“Për këtë shkak ne nuk do të marrim pjesë”, theksoi Soltanie, duke shtuar se nuk pret që takimi të jetë frytdhënës.

Në forum nuk do të ketë negociata, por shtetet e Lindjes së Afërt do të njoftohen me zonat ekzistuese pa armë bërthamore në Afrikë, Azi, Amerikën Latine dhe rajonin e Karaibeve.