Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 17:06

Qindra protestues kanë sulmuar sot ambasadën britanike në Teheran. Incidenti ndodh ndërsa tensioni mes Londrës dhe Teheranit u përshkallëzua pas vendimit të Parlamentit Iranian për të përzënë ambasadorin britanik pas mbështetjes së Britanisë së Madhe për sanksione kundër Republikës Islamike.

Siç raporton Reuters, protestuesit hynë në selinë e ambasadës dhe dogjën flamurin britanik, duke ngritur në vend të tij flamurin Iranian. Kanë qënë qindra studentë pro qeveritarë të cilët mësynë brënda amabsadës pasi qëlluan ndërtesën me gurë dhe bomba molotov.

Sulmi ndodhi në përfundim të një proteste të organizuar nga studentët përpara selisë diplomatike për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj politikave të Londrës kundrejt Republikës Islamike. Studentët shprehën ndërkohë mbështetje për projektligjin e propozuar në parlament për të ulur nivelin e raporteve mes ministrisë së jashtme iraniane dhe Foreign Office. Në bazë të këtij drafti, raportet mes Teheranit dhe Londrës do të reduktohen në nivelin e të ngarkuarve me punë, ndaj ambasadori britanik do te ketë dy javë kohë për tu larguar nga Irani.