Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 06:56

Shkup – Liderët e VMRO-DPMNE, BDI dhe PDSH nuk i janë përgjigjur thirrjes për pajtim politik nga Organizata jo qeveritare ‘Civil’.

Nga liderët që morën pjesë kanë qenë Imer Selmani i Demokracisë së Re (DR) dhe Jovan Manasievski nga Partia libderademokrate (PLD).

Përfaqësuesi i OJQ-së “Civil”, Xhabir Deralla, ka thënë se një nga arsyet për thirrjen e një konference të tillë ka qenë, “thellimi i ndarjeve në shoqëri, në vija politike-partiake, tensionet etnike dhe jotoleranca fetare”, duke bërë me këtë thirrje, “për dialog dhe fillim të pajtimit të gjerë politik në vend”.

LSDM-ja e Cërvenkovskit është prezantuar me nënkryetarin e saj Gordan Georgiev. Ai ka thënë se iniciativa për pajtim politik duhet të vijë nga pushteti, pasi që ai posedon të gjithë mekanizmat për arritjen e një pajtimi.

“Pushteti në asnjë moment nuk u mundua as minimalisht të sillet si xhentëlmen, të shtrijë dorën drejt opozitës që të arrijmë marrëveshje për diçka. Parlamenti u shndërrua në institucion jorelevant, ku nuk diskutohet për asgjë. Meqë me 61 deputetë ju mund të gëlltisni gjithçka”, ka thënë nënkryetari i LSDM-së Gordan Georgiev.

Ndërkohë, Imer Selmani nga DR-ja ka thënë se pajtimi politik, gjithsesi se duhet të ndodh edhe brenda kampusit politik shqiptar. Ai sot është mjaft i acaruar, edhe pse të gjitha partitë politike shqiptare, deklarohen se punojnë ose angazhohen për avancimin e statusit të shqiptarëve, qoftë ai politik, ekonomik, social, në praktikë shpesh herë identifikohen tek partitë politike shqiptare mbizotërimet e interesave të ngushta partiake ose individuale mbi këto interesa, të cilat thjesht kanë frymëzuar formimin partive politike”, ka thënë Selmani i DR-së.

Madje, sipas Jovan Manasievskit, dialogu nuk mund të jetë substancial, ai gjithmonë është procedural dhe prej këtu, siç tha, “ne duhet të orientohemi drejt asaj se si në sistemin tonë të vendosim sa më shumë procedura korrekte që do ta nxisnin dialogun dhe jo procedura që do të çonin drejt keqpërdorimit të shumicës”. (Lajmeshqip.com)