Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 13:11

Nju-Delhi – Një turmë e zemëruar njerëzish në shtetin perëndimor indian Maharaxha, ka sulmuar një spital dhe ka thyer autobusë gjatë protestave kundër ndërtimit të elektrocentralit bërthamor, ndërsa në përleshjet policia vrau një demonstrues, transmetuan agjencitë.

Protestat, e udhëhequra nga politikanë opozitarë kundër ndërtimit të centralit në Xhajtapur, kanë filluar moti, para së gjithash, për shkak të mosmarrëveshjeve me shitjen e tokës, por u përforcuan pas krizës bërthamore në Japoni.

Gjatë ditëve të fundit, demonstruesit i bllokuan dërgesat deri në sipërfaqen për ndërtim, rreth së cilës ka disa lagje peshkimi. Ithtarët e partisë djathtiste Shiv Sena gjuajtën me gurë dhe filluan përleshje me policinë, njoftojnë agjencitë.

Gjatë javës së kaluar, ministri indian i Mjedisit Jetësor Xhajram Ramesh e konfirmoi qëllimin e qeverisë që ta vazhdojnë ndërtimin e centralit me gjashtë reaktorë me vlerë 10 miliardë dollarë. Fuqia e përgjithshme e centralit do të jetë 9,9 gigavatë, respektivisht ajo do të jetë ECB më i madh në botë.

India për momentin ka mungesë prej 12 për qind të energjisë elektrike në kohën kur ajo harxhohet më së shumti. Kjo pengon që rritja ekonomike e vendit të jetë më e madhe prej rreth nëntë për qind dhe shkakton ndërprerjen e rrymës elektrike në shumë pjesë të vendit.

Në Indi janë aktive 20 reaktorë të vegjël bërthamor në elektrocentrale, me kapacitet të përgjithshëm prej 4,78 gigavatë, vërejnë agjencitë.