Lajme Shqip Friday, 10 August 2012 18:30

Shkup – Këshilltari komunal i komunës së Bogovinës nga radhët e BDI-së, Isak Ajrulli dhe këshilltari komunal i Gazi Babës në Shkup nga radhët e VMRO-DPMNE, Kiril Plastirov janë dy ish-spiunët e zbardhur nga komisioni për dosjet.

Sipas këtij komisioni, këto dy këshilltarë komunal kanë qenë bashkëpunëtor të fshehtë të shërbimeve sekrete. Ajrulli kishte spiunuar studentët e Tetovës, të cilët në ndeshjet e hendbollit kishin thirrur parulla “Rrofë Shqipëria, rroftë Enver Hoxha”, ndërsa aktori Kiril Plastirov kishte nisur bashkëpunimin që në vitin 1963 duke spiunuar rrjete të nacionalistëve maqedonas.

Sipas dosjes së Ajrullit i ditëlindjes 1954 nga fshati Sedllarcë i Tetovës, ai ka funksionuar me pseudonimin “Zenit” nga viti 1976, kishte marrë detyra për të raportuar për funksionimin e studentëve dhe aktivistëve të çështjes kombëtare të asaj periudhe, por edhe si profesor i punësuar në shkollën e mesme “Mosha Pijade” në Tetovë. Ai aktualisht po kryen detyrën e këshilltarit në komunën e Bogovinës në rajonin e Tetovës. (INA)

09:33 – Sot do të publikohen emrat e spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të shërbimeve sekrete në të kaluarën në Maqedoni. Komisioni për lustrimin të hënën solli vendim dhe verifikoi vendimet lidhur me shpalljen e emrave të rinj të spiunëve, por publikimi do të ndodhë të premten.

Kryetari i Komisionit të lustrimit, Tome Axhiev deklaroi se emrat e dy funksionarëve aktual do të bëhen publike sipas procedurës ligjore që ditën e premten, pas kalimit treditor të afatit ligjor.

Jozyrtarisht mësohet se janë dy emra të ish-bashkëpunëtorëve, njëri prej të cilëve është këshilltar në këshillin e Bogovinës dhe kuadër i BDI-së, ndërsa tjetri nga radhët e VMRO-DPMNE në komunën e Gazi Babës. Komisioni i Lustrimit në bazë të ligjit të ri për lustrim deri tani ka publikuar emrat e 23 spiunëve, kryesisht të UDB-së në të kaluarën. (LajmeShqip.com)