Lajme Shqip Thursday, 17 March 2011 07:57

Bruksel – Ministri hungarez i Punëve të Jashtme, Janosh Martonji, vendi i së cilit është kryesues aktual i Bashkimit Evropian, deklaroi se Hungaria angazhohet për integrimin evropian të të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor dhe për hyrje në fuqi deri në fund të vitit të Marrëveshjes për stabilizim dhe asociim me Serbinë.

Martonji në një intervistë për edicionin e sotëm të “Novosti” theksoi se Serbia ka perspektivë të qartë evropiane, por se duhet të zbatojë “më shumë reforma të rëndësishme që të realizojë zhvillim të konsiderueshëm në procesin e tij integrues”.

Ministri hungarez përkujtoi se deputetët në Parlamentin Evropian më 19 janar e miratuan Marrëveshjen për stabilizim dhe asociim midis BE-së dhe Serbisë, duke theksuar se është “etapë e rëndësishme në zhvillimin e Serbisë në procesin i cili ka për qëllim krijimin e Evropës së qetë dhe të integruar tërësisht”.

“Kryesimi hungarez dëshiron që kjo Marrëveshje të hyjë në fuqi deri në fund të këtij viti ose më së voni deri në fillim të vitit të ardhshëm. Por pëlqimi i Parlamentit nuk është i mjaftueshëm. Është e nevojshme gjithashtu edhe vendet-anëtare ta ratifikojnë këtë marrëveshje”, deklaroi Martonji, duke përkujtuar se Marrëveshjen, përveç Hungarisë, deri më tani e kanë ratifikuar vetëm edhe tetë vende-anëtare.

Ai theksoi se Hungaria është e kënaqur nga mënyra me të cilën realizohen prioritetet e kryesimit të saj kur është në pyetje rajoni i Ballkanit Perëndimor.

“Në këtë rajon gjithçka është e gërshetuar. Siç e dëshmuan këtë ngjarjet në Shqipëri, duhet të mbajmë llogari për më shumë  burime të tensioneve në rajon. Por detyrat janë përcaktuar qartë. KE për shembull në mendimin e vet në vitin 2010, theksoi 12 detyra të cilat Shqipëria duhet t’i plotësojë që të marrë mendim pozitiv”, shtoi Martonji. shk/hr/8:46