Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 09:28

New York – Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch” akuzoi sot regjimin sirian për krime kundër njerëzimit.

Në raportin e shpallur në prag të takimit të Ligës arabe në Kajro, “Human Rights Watch” i bëri thirrje kësaj organizate ta ngrijë anëtarësinë e Sirisë.

“Represionet e kryera nga forcat qeveritare siriane ndaj civilëve në qytetin Homs, përfshirë vrasje dhe keqtrajtime, paraqesin krime kundër njerëzimit”, theksoi “Human Rights Watch“, selia e së cilës është në New York.

Në raportin prej 63 faqesh, organizata thekson se nga mesi i prillit e deri në fund të gushtit, forcat e sigurisë kanë vrarë së paku 587 civilë në Homs. Së paku 104 persona janë vrarë pas 2 nëntorit, kur Damasku e pranoi planin e Ligës arabe, i cili ka për qëllim ndërprerjen e dhunës dhe fillimin e dialogut me opozitën, ceket në raport, të dhënat e të cilit janë të bazuara në dëshmitë e dëshmitarëve okular.

Liga arabe nesër do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme, ku do të shqyrtohet përpjekja e pasuksesshme për ndërprerjen e gjakderdhjes në Siri.