Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 09:30

Zagreb – Kroacia është lidere në Evropën Juglindore dhe anëtare e plotfuqishme e bashkësisë transatlantike, me të cilën SHBA-ja së bashku do të punojë në zgjidhjen e problemeve globale, deklaroi mbrëmë në Uashington, sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton para mbledhjes me ministren kroate të Punëve të Jashtme, Vesna Pusiq.

Ajo theksoi se SHBA-ja i mbështet reformat e shumta, të cilat Kroacia i ka zbatuar që të bëhet anëtare e plotfuqishme e bashkësisë transatlantike.

“E përshëndesim progresin e Krocisë në rrugën drejt BE-së dhe rolin udhëheqës që ka në rajon”, theksoi Klinton në konferencën e përbashkët për shtyp me Pusiq, duke shtuar se “puna e përbashkët e zgjidhjes së problemeve të tjera mbetet sfidë e përhershme”.

Sipas Pusiq, Kroacia mund të kontribuojë për stabilizimin e mbarë rajonit, që është interes i përbashkët i Zagrebit dhe Uashingtonit. Ajo falenderoi SHBA-në për ndihmën e vazhdueshme në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë funksionale, zgjidhjen e problemeve dhe mbështetjen për Kroacinë në rrugën drejt BE-së.