Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 13:01

Lubjanë – Florens Hartman, ish-zëdhënësja e kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte, deklaroi se forcat e fuqishme perëndimore nuk dëshironin që gjykata t’u caktonte dënime afatgjate me burg gjeneralëve kroatë Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç.

“Disa superfuqi dëshironin që Gotovina të jetë i lirë. Ka një numër të madh të atyre që konsiderojnë se shtetet të cilat marrin pjesë në luftëra në territoret e tyre nuk duhet të përgjigjen kur bëhet fjalë për krime ushtarake. Kroacia kishte të drejtë që ta mbronte pavarësinë dhe sovranitetin e vet, por ka ekzistuar një iniciativë kriminale e cila kishte për qëllim spastrimin etnik të serbëve”, theksoi Hartman në një intervistë për mediat e Lubjanës.

Ajo shtoi se Këshilli gjyqësor nuk e dëshmoi aktin kriminal kryesisht përmes procesverbaleve nga Brioni, por Haga ka pasur edhe fakte të tjera, para së gjithash zgjidhje ligjore të cilat janë mirtuar pas vitit 1995, ndërsa me të cilat refugjatëve serbë u ishte ndaluar kthimi.

“Ajo dëshmoi se kishte ekzistuar qëllim që territori i çliruar, etnikisht të jetë i spastruar”, sqaroi Hartman.