Lajme Shqip Friday, 18 May 2012 17:34

Hagë – Prokuroria e Gjykatës së Hagës nuk i ka dorëzuar disa dëshmi mbrojtjes së Mlladiçit, ndërkohë që këtë duhet ta bënte ligjërisht. Sipas rregullave në fuqi, mbrojtja duhet të ketë të drejtën të studiojë provat e prokurorisë, para fillimit të gjykimit.

Nuk dihet saktësisht e për çfarë provash bëhet fjalë. Ori ka thënë se gjykatësit janë duke analizuar pasojat e këtij veprimi. Gjykatësi ka thënë gjithashtu se gjykimi do të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Prokuroria ka pranuar gabimet që ka bërë dhe nuk është ankuar në vendimin për të shtyrë gjykimin.

Mbrojtja e Mlladiqit, ndërkaq, ka kërkuar një pushim gjashtëmujor të gjykimit. Në ditën e dytë të gjykimit të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, prokurorët e Tribunalit të Hagës kishin paralajmëruar paraqitjen e provave që tregojnë se trupat e komanduara nga ai, kanë qenë përgjegjëse për vrasjen e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë.

Masakra në qytetin verilindor të Bosnjës është vlerësuar si mizoria më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Mlladiq, 70 vjeç, përballet me 11 akuza, që përfshijnë edhe gjenocidin në Srebrenicë.

Prokurorët po ashtu kanë thënë se ai ka udhëhequr fushatën kriminale për shfarosjen e myslimanëve, kroatëve dhe joserbëve të tjerë nga Bosnja, si dhe për krijimin e “Serbisë së Madhe”. Mlladiqçi ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza. Nëse shpallet fajtor, Mlladiç mund të përballet me burgim të përjetshëm. (T.Ch)