Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 13:42

E përditshmja greke Kathimerini shkruan se vendimi që pritet më 5 Dhjetor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, do të jetë në favor të Shkupit.

Vendimi lidhet me aktpadinë e ngritur pranë kësaj gjykate kundër Athinës për shkeljen e Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995, ku u bllokua pranimi i Maqedonisë në NATO në Samitin e NATO-s të vitit 2008 në Bukuresht. Gazeta greke duke u bazuar në burime të saj nga Haga ka shkruar se ky proces gjyqësor ka përfunduar në favor të Shkupit.

Si argument për këtë vendim janë përdorur deklaratat e ish kryeministrit Kostas Karamanlis dhe ish-ministres së Jashtme Dora Bakojanis, të cilët kanë paralajmëruar vetot e vazhdueshme për integrimin e Maqedonisë, për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit. Sipas gazetës Kathimerini, vendimi i Gjykatës megjithatë nuk mund ta detyrojë Greqinë per të mos vazhduar të bllokojë integrimin e Maqedonisë. Zyrtarisht vendimi do të publikohet më 5 dhjetor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Kjo cështje, ishte një nga 3 kryesoret në axhendën e qeverisë greke, sepse Greqia ka nevojë urgjente për të rifituar besueshmërinë e saj jashtë vendit. Në koordinim me shërbimet diplomatike, Athina zyrtare duhet të bëjë shumë, për përmirësimin e imazhit të vendit, pas ngjarjeve të fundit. Burime qeveritare kanë thënë më herët se se Greqia duhet të jetë e përgatitur për çdo eventualitet dhe të veprojë në përputhje me rrethanat, për të mbrojtur pozitat greke dhe interesat e saj, drejt gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për çështjen e emrit të Maqedonisë.