Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 17:15

Tel Aviv-E përditshmja prestigjoze izraelite, Haaretz, në katër vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, botoi opinionin e një analisti të njohur izraelit, për domosdoshmërinë e njohjes së Kosovës nga ky vend.

Katër vjet më parë Kosova shpalli pavarësinë dhe ajo u njoh menjëherë nga fuqitë më të mëdha perëndimore, por jo edhe nga Izraeli.

Edhe pse ka shumë cështje më prioritare në politikën e jashtme të Izraelit, mos njohja e Kosovës paraqet jo vetëm gabim të panevojshëm diplomatik por edhe dështim moral e historik, thuhet në opinionin e të përditshmes Haaretz.

Aty vlerësohet se njohja e Kosovës nuk do të minonte interesat strategjike të shtetit izraelit dhe gabimi bëhet kur Kosova krahasohet me Palestinen.

Përtej cështjes palestineze, për Jerusalemin shqetësim paraqet edhe përbërja fetare e popullsisë së Kosovës, mirëpo gazeta vlerëson se të gjitha këto shqetësime janë të pavend.

Në anën tjetër, Kosova paraqet njërin nga rastet më të rënda të gjenocidit në Evropë që nga përfundimi i luftës së Dytë Botërore dhe Izraeli edhe për këtë fakt nuk guxon ta injorojë Kosovën.

“Shteti i cili evokon gjithnjë Holokausitin për të arsyetuar ekzistencën është dashur të jetë në ballë të fushatës ndërkombëtare për njohjen e pavarësisë së Kosovës, shkruan në gazetën Haaretz, Xhonatan Touval, analisti i njohur dhe anëtari i Istitutit Izraelit për Politika të jashtme dhe rajonale. (LajmeShqip.com)