Lajme Shqip Saturday, 16 July 2011 10:52

Stamboll – Kontakt-Grupi për Libinë e njohu si pushtet legjitim në vend Këshillin kombëtar kalimtar (KKK), i formuar nga kryengritësit në Bengazi, theksohet në deklaratën përfundimtare të takimit të katërt të grupit, i cili sot u mbajt në Stamboll.

“Kjo do të thotë se do të mund të zhbllokohen dhe t’i dorëzohen KKK-së një pjesë e llogarive të regjimit të Moamer Gadafit, të cilat janë ngrirë në pajtim me rezolutën e Këshillit për siguri të KB-së”, sqaroi ministri francez i Punëve të Jashtme, Alen Zhype.

Në tekstin e deklaratës së përbashkët theksohet se “regjimi i Gadafit më nuk ka kurrfarë pushteti legjitim në Libi”.

“SHBA-ja zyrtarisht e njeh KKK-në si pushtet legjitim në Libi”, theksoi sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton.

Njohja diplomatike e organit politik të kryengritësve libianë do të thotë se Qeveria e SHBA-së do të mund ta financojë opozitën me mjete në lartësi prej mbi 30 miliardë dollarë, të cilat ndodhen në llogaritë e ngrira të regjimit të Moamer Gadafit në bankat amerikane.

Kontakt grupi, i cili përfshin mbi 30 shtete, konfirmoi se e njeh KKK-në si pushtet legjitim në Libi, derisa të formohet qeveria e përkohshme, dhe ju bëri thirrje kryengritësve shpejtë të punojnë në formimin e së njëjtës. Ai i bëri thirrje liderit libian Moamer Gadafi që të tërhiqet nga pushteti dhe të mos ua dorëzojë familjarëve të vet, duke i pasur parasysh në rend të parë djemt e tij.

“Gadafi duhet ta braktis pushtetin në etapa të caktuara, të cilat do të publikohen publikisht”, shkruan në deklaratë.

Zhype theksoi se Franca do t’i japë KKK-së 250 milionë dollarë nga llogaritë e ngrira të regjimit të Gadafit në territorin e saj.

“Italia sot e zhbllokoi transhën e parë për kryengritësit libianë në vlerë prej 100 milionë euro, shtoi shefi i diplomacisë italiane Franko Fratini, duke potencuar se në dy vitet e ardhshme do të zhbllokojë 300 milionë dollarë nga llogaritë e regjimit libian. Mjetet do të miratohen në formë kredie, e grantuar nga llogaritë e ngrira të Gadafit.

Një përfaqësues i kryengritësve libianë deklaroi në Stamboll se ata kanë nevojë të madhe nga financat që ta vazhdojnë luftën.

“Janë të domosdoshme tre miliardë dollarë”, theksoi zëdhënësi i KKK-së, Mahmud Shamam.