Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 17:45

Shkup – “Interpretimin autentik të Ligjit të amnistisë e solli qeveria në Parlament, ndërsa unë si politikan patjetër të respektojë vendimet e Parlamentit.  Gjykata deri më tani nuk i zgjodhi rastet e Hagës dhe për atë Parlamenti patjetër të zgjidhte këtë, që të mos mbetej edhe më tej gështenjë e nxehtë”, ka thënë mandatari Nikolla Gruevski.

Ai ka shfrytëzuar rastin që t’i replikojë koordinatorit të PDSH-së Imer Aliu i cili akuzoi qeverinë se deri tani ajo ka qenë më antishqiptare.

“Me ligjin për gjuhët dhe flamurin i degradoni shqiptarët, ndërsa interpretimin autentik të ligjit për amnisti u deshën tre vjet që ta sjellni, pasi që atë e deponoi PDSH”, ka thënë Aliu.

Ndërkohë, Ermira Mehmeti-Devaja ka thënë se BDI do të votojë qeverinë pasi që Maqedonia patjetër ta lë pas të kaluarën dhe të vazhdojë përpara me integrimet dhe se kjo qeveri do ta implementojë deri në fund Marrëveshjen e Ohrit.

“I sollëm ligjet për simbolet dhe amnistinë, pasojnë projekte tjera më rëndësi për shqiptarët. Dikush ka fuqinë të përballet me realitetin dhe problemet, dikush të kritikojë dhe ne kemi fuqi që edhe të përballemi me to dhe të punojmë”, ka thënë Mehmeti -Devaja. Ndërkohë, Izet Zeqiri nga RDK ka akuzuar se BDI ka lejuar monopol të VMRO-së në platformën qeveritare dhe aty është i portretizuar vetëm manifesti, por jo edhe pjesë të programit të BDI-së.

Sipas marrëveshjes debati do të zgjasë deri në ora 20, ndërsa do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme ku para mesnatës do të votohet qeveria e re.