Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 08:43

Vevçani – Shteti është i gatshëm që të gjendet zgjidhje për kontestin e emrit. Ky është interesi ynë dhe ne dëshirojmë zgjidhje. Ka qenë ky prononcimi i kryeministrit Nikolla Gruevski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas vizitës në Vevçani.

I pyetur për deklaratën e liderit të BDI-së Ali Ahmeti në konferencën kushtuar Marrëveshjes së Ohrit se ndoshta është koha që bashkësia ndërkombëtare në mënyrë më aktive të kyçet në menaxhimin e problemit, Gruevski me pohim se ajo nuk është vetëm në kohën e fundit dhe se vazhdimisht vijnë sugjerime të tilla.

Për atë nëse pret dialog me partnerin e koalicionit BDI lidhur me politikën shtetërore për emrin, kryeministri Gruevski ka thënë se pret me siguri edhe për emrin edhe për çdo gjë tjetër, për shkak se, sipas tij, “shteti i takon të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga bashkësia e tyre etnike”.

“Jemi pjesëmarrës në të gjitha komunikimet dhe kontaktet nën mbikëqyrje të KB-së dhe ne dëshirojmë që në mënyrë më intensive të gjendet zgjidhje për shkak se ajo është në interesin tonë, të popullit tonë, të qytetarëve tanë, të vendit tonë. Kuptohet, presim që Greqia të tregojë vullnet të tillë dhe shpresojmë se ajo do të ndodhë”, ka thënë kryeministri Gruevski. Lidhur me procesin e eurointegrimit, shefi i Qeverisë theksoi se është arritur progres serioz dhe se pret raport pozitiv nga KE-ja.

“Në pjesë të madhe, gjërat të cilat na u parashikuan me Programin dhe Planin e projektuar të aksionit që doli nga Raporti i mëparshëm, në pjesë të madhe kanë shkuar përpara. Ka progres serioz. Këtë po e shoh se e ndjejnë edhe njerëzit nga Brukseli. Gjatë komunikimit me ta kur vijnë këtu na thonë se shohin progres serioz dhe se ajo që nuk është përfunduar duhet të kryhet. mendoj se ka progres të madh. Ai progres ishte bërë edhe para zgjedhjeve, por edhe tani në këtë periudhë me fuqi, elan dhe energji plotësuese me qasje drejt përfundimit të atyre gjërave që nuk ishin kryer para zgjedhjeve”, ka thënë Gruevski.

Ai ka informuar se Qeveria pati mbledhje të posaçme kushtuar integrimeve evropiane dhe të gjitha hollësive lidhur me atë, ndërsa javën tjetër do të mbajë mbledhje të re në të cilën do të flitet vetëm për pikat lidhur me anëtarësimin në BE.

“Mendoj se institucionet shtetërore në pjesë të madhe do ta kryejnë punën e vet dhe se do të kemi raport në të cilin do të ketë progres të madh dhe punë mjaft pozitive dhe mendoj se ka gjasa të mëdha që ai raport të jetë pozitiv. Kuptohet, kjo nuk varet nga ne, varet nga ata që e bëjnë. Ndjenja jonë është në bazë të asaj që e kemi përfunduar deri më tani, por edhe në bazë të raportit pozitiv të cilin Qeveria dhe institucionet i përfunduan në pjesën më të madhe punët”, ka nënvizuar kryeministri Gruevski, duk u përgjigjur në pyetjen nëse po përmbushet euroagjenda. (LajmeShqip.com)