Lajme Shqip Saturday, 02 July 2011 14:13

Shkup – Negociatat për formimin e Qeverisë midis VMRO-DPMNE dhe BDI-së janë bllokuar përkohësisht për shkak të mungesës së kompromisit për ndarjen e drejtorive.

Siç mëson Portali Lajmeshqip.com, nga burime të afërta me palët negociatore, VMRO-DPMNE nuk dëshiron që t’ia jap BDI-së njërën nga Drejtoritë e Ministrisë së Brendshme, gjegjësisht Drejtorinë e Sigurimit Publik, por as Drejtorinë e të Ardhurave Publike ose Drejtorinë e Doganave.

VMRO-DPMNE kërkon që kuadrot shqiptare të jenë në poste më të favorshme në sektorë dhe nivele të  tjera të MPB-së, por nuk dëshiron të lëshojë kryesimin e këtyre drejtorive.

Dy partitë pritet nesër të zhbllokojnë negociatat dhe të gjejnë ndonjë kompromis për të kompletuar marrëveshjen e koalicionit, që parimisht është arritur midis dy partive që po udhëhiqen negociatat midis grupeve negociatore partiake.

Madje, nga BDI, veç kanë paralajmëruar se do të marrin poste drejtorish që deri tani nuk ishin pjesë e partive shqiptare. Sipas burimeve partiake, Ahmeti ka prognozuar në pozicionet e drejtorëve të Fondit për shëndetësi, pyjet e Maqedonisë, Fondit për rrugë dhe doganën. Jozyrtarisht mësohet se për drejtor të Fondit nga BDI do të ishte propozuar ministri i deritanishëm i Shëndetësisë Bujar Osmani.

VMRO-DPMNE deri tani nuk pranon ofertën dhe kërkesën e hapur akoma nga BDI që të nënshkruhet Marrëveshje prioritare për zgjidhjen e kërkesave, një marrëveshje e stilit të asaj të “Majit të vitit 2007” të arritur mes BDI dhe VMRO, ku zotohej kryerja e disa detyrimeve nga ana e VMRO-DPMNE, e cila kishte në koalicion PDSH-në.

Marrëveshja e BDI-së përfshin mbylljen e rasteve të Hagës përmes interpretimit të Ligjit për amnisti nga ana e Parlamentit, zgjidhja e statusit të UÇK-së, fonde të barabarta zhvillimore dhe investime për zonat shqiptare si dhe projekte tjera.

Nëse Gruevski dhe Ahmeti arrijnë të gjejnë kompromis për eshalonin e tretë, nga selia e BDI-së në Tetovë, informojnë se në listë do mbetet vetëm platforma e përbashkët qeveritare. Zaten, shefi i grupit negociues i BDI-së, Abdilaqim Ademi, ka thënë se platforma veç është punë e kryer. (LajmeShqip.com)