Athinë- Në një grevë të përgjithshme 24 orëshe u përfshi dje gjithë Greqia, ndërsa mijëra grekë kanë protestuar në rrugët e Athinës dhe Selanikut, duke kundërshtuar masat e reja shtrënguese që kërkon treshja dhe kreditorët e huaj.
Në mesditë demonstruesit që kanë djegur edhe flamurin gjerman, janë konfrontuar me forcat policore të cilat kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, në sheshin para parlamentit.
Është greva e parë e përgjitshme për vitin 2012, që pason më shumë se shtatë të zhvilluara në vitin e kaluar, pasi vendi ndodhet për të pestin vit rrjesht në recesion dhe kriza ka shkaktuar humbjen e qindra mijëra vendeve të punës.
Protestat e sindikatave greke zhvillohen ndërsa partitë e koalicionit qeveritar, nën presionin që sa vjen e rritet në Bruksel, pritet të japin një përgjigje nëse pranojnë kushtet e dhimbshme të marrëveshjejes së re të kreditimit nga FMN-ja, BE-ja dhe BQE-ja për të shmangur një falimentim të çrregullt që mund të kërcënojë të ardhmen e vendit në zonën e euros.
Lideret politik pritet të bien dakord mbi problemet e pazgjidhura kyçe siç janë ndryshimi i tregut të punës për t’u bërë më kompetititiv me uljen e rrogave dhe me kushte punësimi më elastike, reduktimin e pensioneve, pushimet nga puna në administratë dhe reforma të tjera të dhimbshme për qytetarët.
Grekët protestojnë të zhgënjyer nga politikanët, ndërsa shohin të zymtë të ardhmen e tyre si brenda eurozonës ashtu edhe jashtë saj.
Nga ana tjetër kryeministri Papadhimos së bashku me udhëheqësit e partive të koalicionit qeveritar shprehen se rruga e vetme për Greqinë është nënshkrimi i marrëveshjes me kreditorët, përndryshe kthimi në dhrahmi dhe falimentimi do të jenë zgjidhja më e keqe. (LajmeShqip.com)