Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 09:15

Papandreu dhe Samaras biseduan për mundësinë që Lukas Papademos të jetë në krye të qeverisë së re greke

Athinë – Kryeministri grek Jorgos Papandreu dhe lideri opozitar Andonis Samaras mbrëmë shqyrtuan mundësinë që ish zëvendëskryetari i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) Lukas Papademos ta udhëheqë qeverinë e re të koalicionit, e cila duhet ta shpëtoj vendin nga bankrotimi, transmetojnë agjencitë, duke iu referuar një përfaqësuesi qeveritar, i cili ka kërkuar të mbetet anonim.

Papandreu i ka thënë Samarasit se i pranon kushtet të cilat i ka vendosur Papademos për t’u bërë kryeministër, dhe i ka bërë thirrje edhe liderit opozitar që të dëgjohet me ish udhëheqësin e lartë të BQE-së.

Papademos ka kërkuar që dy partitë kryesore politike të nënshkruajnë  se e pranojnë planin shpëtues të eurozonës, si dhe të fitojë afat më elastik për qeverinë, të cilën eventualisht do ta udhëheqë, gjegjësisht të ketë më shumë kohë se njëqind ditë deri më 16 shkurt, për kur janë paraparë zgjedhjet e parakohshme.

Papadmeos akoma dëshiron që në qeverinë e re  të merr pjesë edhe  Demokracia e Re opozitare, e cila tani për tani refuzon të hyjë  në të.

Sot pritet takim i ri mes Papandreut dhe Samarasit.