Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 09:40

Athinë – Sindikatat në Greqi sot fillojnë grevë të re 24 orëshe.

Dy organizatat sindikale më të mëdha GSEE dhe ADEDI, të cilat i bashkojnë të punësuarit në sektorin privat dhe shtetëror, dje kumtuan se aktivitetet protestuese do të mbahen të premten dhe të shtunën.

Në vend do të bllokohen transporti publik, trenat nuk do të lëvizin, ndërsa anijet do të mbeten në porte; shkollat gjithashtu nuk do të punojnë, sepse në grevë do të përfshihen edhe mësimdhënësit.

Protestat janë përgjigje e marrëveshjes midis Greqisë dhe kreditorëve të saj për vendosjen e masave të reja për kursime, të cilat janë një prej kushteve për miratimin e pakos së dytë të shpëtimit të vendit.

Demonstrata të mëdha protestuese janë caktuar për të dielën më 12 shkurt në sheshin “Sintagma” para ndërtesës së Parlamentit grek.

Sot sindikata prokomuniste PAME organizon protesta për disa qytete në vend.

Sindikatat protestojnë kundër marrëveshjes me kreditorët e vendit e cila parasheh ulje të pagave në sektorin privat, privatizim të shpejtë të kompanive shtetërore dhe pushime të reja të nëpunësve shtetëror. Pas negociatave të mbrëmshme dhe të gjata për marrëveshjen, është arritur një marrëveshje edhe me liderët e tre partive, të cilët e mbështesin qeverinë e koalicionit të kryeministrit Papadhimos.

Kërkesat e treshes së inspektorëve nga Bashkimi Evropian, Banka Qëndrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, janë kusht që Greqia të marrë pako të dytë të ndihmës në vlerë prej 130 miliardë euro.