Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 15:16

Greqia pret në buxhetin e ardhshëm të BE-së për periudhën 2014-2020 të parashikohen më shumë mjete për ndihmë për synimin për mbrojtjen e kufirit të jashtëm të vendit, deklaroi sot ministri grek për Mbrojtjen e Qytetarëve, Mihalis Hrisohoidis pas takimit me eurokomisaren për punë të brendshme, Sesilia Malmstrom.Ai konfirmoi se ndërtimi i planifikuar i murit mbrojtës ose rrethojës përgjatë kufirit me Turqinë ka për qëllim ta parandalojë hyrjen joligjore të emigrantëve nga Afganistani, Iraku, Siria, Algjeria dhe Maroku, të cilat shpesh janë të lidhur me kontrabandë të njerëzve dhe kryerjen e veprave tjera kriminele në territorin grek dhe evropian.

“Ngritja e murit është çështje e brendshme politike, kjo do të na ndihmojë ta tejkalojmë problemin përgjatë kufirit me Turqinë”, konfirmoi Hrisohoidis.

Sipas tij, kjo do të jetë zgjidhje e përkohshme, por me rëndësi të madhe simbolike. Ministri grek theksoi se ndërtimi i murit nuk do të ketë financime evropiane, do të fillojë shumë shpejt dhe do të përfundojë po ashtu shpejt.

Ai theksoi se Athina do të marrë nga BE-ja 250 milionë euro deri në vitin 2014 për sigurimin e kufirit të jashtëm.

Hrisohoidis shtoi se vërshimi i emigrantëve, veçanërisht për shkak të “Pranverës arabe”, paraqet kërcënim për paqen sociale në Greqi.