Lajme Shqip Tuesday, 06 November 2012 11:33

Athinë -Greqia do të jetë e paralizuar gjatë 48 orëve të ardhshme për shkak të grevës së përgjithshme që ka filluar në gjithë vendin, organizuar nga sindikatat e sektorit publik dhe privat.

Në grevë janë përfshirë administrata publike, tatimet, postat, bankat, gazetarët, inxhinierët, transporti publik, mësuesit, pedagogët në universitete, anijet mbeten pa lëvizur nga portet, kontrollorët ajrorë ndërpresin punën për 3 orë, ndërsa spitalet, klinikat dhe ambulancat do punojnë me personel sigurie. Nesër i bashkohen grevës edhe farmacistët ndërsa nga e premtja janë avokatët, prokurorët dhe gjyqtarët që vazhdojnë protestat e tyre.

Sindikatat kanë njoftuar grumbullime sot dhe nesër paradite në qendër të Athinës. Kërkesa kryesore e grevës është anulimi i të gjitha masave që shkurtojnë pagat e punonjësve, që i nxjerrin ata në rrugë dhe ulin pensionet.

Ndërkohë paketa e masave të ashpra është dërguar në Parlament dhe pritet të votohet gjatë ditës së nesërme. Kryeministri Samaras ka bërë thirrje për miratimin e saj, në të kundërt siç paralajmëroi, vendi do të zhytet në kaos dhe do t’i kthehet dhrahmisë. Miratimi i këtyre masave dhe i buxhetit të vitit 2013, janë kushti për marrjen e këstit të ndihmës prej 31,5 mld euro. Me gjithë thirrjet e kryeministrit, partia e Fotis Kuvelis, E Majta Demokratike ka paralajmëruar se nuk do të votojë pro masave që lidhen me ndryshimin e marrëdhënieve të punës, por do të votojë buxhetin për t’i dhënë një votë besimi qeverisë. Kundër masave janë shprehur edhe disa deputetë të PASOK.(LajmeShqip.com)