Lajme Shqip Monday, 19 March 2012 11:32

Athinë-Evangelos Venizelos është kryetari i ri i partisë së majtë PASOK, pasi ishte kandidati i vetëm zyrtar që konkurronte për këtë post. Kjo zgjedhje erdhi pas dorëheqjes së ish-kreut të qeverisë greke dhe të partisë PASOK, Jorgos Papandreut.

Pjesëmarrja në votimin e sotëm është vlerësuar më e ulët se sa në vitin 2007, por edhe më e lartë se sa pritej. Sipas shifrave jozyrtare, kanë votuar rreth 170.000-180.000 anëtarë dhe miq të partisë.

Gjatë votimit, ministri aktual i Financave, Venizelos deklaroi: “Jemi duke filluar një përpjekje të madhe për të folur me botën dhe për t’i treguar disa gjëra realisht me gjuhën e sinqeritetit dhe gjuhën e së vërtetës. PASOK duhet të vazhdojë të jetë një shtyllë e stabilitetit dhe faktor për ndryshime”.

Kryetarin e ri të PASOK e pret një sfidë e rëndësishme, pasi me të dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit të Financave, Evangelos Venizelos do të përgatisë dhe drejtojë partinë për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme politike, që pritet të zhvillohen së shpejti dhe pas kësaj të realizojë aspiratën e tij të dytë të njohur, ngjitjen në postin e kryeministrit.