Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 18:06

Greqia duhet të aplikojë programin e reformave që të mund të qëndrojë në zonën euro, kjo është e vetmja rruge për të ndjekur dhe I vetmi drejtim në të cilin do të lëvizim. Ishin këto fjalët e kryeministrit grek Lucas Papademos, gjatë konferencës për shtyp me presidentin e Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso në Bruksel. Papademos u shpreh I bindur se vendi do të dale nga kriza dhe liderët e forcave politike greke do të sigurojnë partnerët europianë për impenjimet që kanë marrë duke hequr çdo dyshim, megjithëse theksoi se I takon atyre të vendosin për format me të cilat do të rikonfirmojnë këto impenjime, duke iu referuar kështu angazhimit me shkrim të kërkuar nga Komisioni Europian. Letra e nënshkruar nga të gjitha forcat politike greke ka qënë vazhdimisht kërkesë e BE si parakush për disbursimin e këstit të rradhës prej 8 miliard euro. Por lideri konservator Antonis Samaras ka deklaruar se nuk do të japë një garanci të tillë. “Besoj se kjo qeveri do të jetë në gjendje të arrijë të gjithë objektivat, edhe në një periudhë të shkurtër. Për tja dalë mbanë ekziston I gjithë vullneti për të vënë në praktikë impenjimet e marra gjatë samitit të 26 tetorit”-tha kryeministri grek. Papademos theksoi se qeveria që ai drejton është një qeveri e përkohshme që do të përgatisë terrenin për ekzekutivin që do të zgjidhet përmes votës dhe do të jetë ajo që do ti japë jetë reformave dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike. I kënaqur nga takimi, Barroso ftoi autoritetet greke që të tregojnë kurajo dhe përgjegjshmëri për të vazhduar procedurat anti krizë. “Kam shumë besim se Greqia do të respektojë angazhimet që ka ndërmarrë me partnerët e saj. E kuptoj që janë kohë të vështira për qytetarët, por situata është shumë serioze. Për Greqinë kemi mobilizuar burime si kurrë më parë, ndaj duhet vendosmëri dhe konsensus politik për ti dhënë jetë impenjimeve që janë marrë”-tha Barroso. Presidenti I KE u shpreh se ka marrë të gjitha garancitë nga kryeministri Papademos sa I përket impenjimit dhe vendosmërisë së Greqisë.