Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 13:07

Athinë- Qeveria greke ka miratuar të premten vonë një projekt-ligj që shtrëngon masat e kursimit, i cili nevojitej për të siguruar marrëveshjen për pakon e shpëtimit në vlerë prej 130 miliardë eurosh. Projektligji i është dorëzuar për miratim parlamentit.

Qeveria greke mbajti një takim të jashtëzakonshëm për të çuar përpara projektligjin dhe për të ndihmuar parlamentin që të përmbushë afatin e 12 shkurtit, të caktuar nga kreditorët e BE-së, si pjesë e marrëveshjes për marrjen e pakos së shpëtimit.

Kryeministri grek Lukas Papademos, tha se Greqia duhet të bëjë çfarëdo që është e mundshme për të miratuar masat e kursimi dhe për të shmangur falimentimin.

Greqia përballet me pamundësinë e larjes së borxheve brenda javëve, rrjedhimisht, falimentimin, po që se nuk e siguron pakon e shpëtimit të BE-së, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Qendrore Evropiane.

Ndërkohë 5 anëtarë të koalicionit qeveritar në Greqi kanë dhënë dorëheqje, për shkak të shkurtimeve të mëdha që kanë kërkuar huadhënësit ndërkombëtarë në shkëmbim të ndihmës. Greqia do të dështojë në likuidimin e borxhit brenda javëve, nëse nuk arrin të sigurojë ndihmën prej 130 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Mediat njoftojnë se ministri grek i Transportit dhe të paktën tre zëvendësministra kanë paraqitur dorëheqjet e tyre të premten. Po sot, Policia në Athinë është përleshur me punëtorët që protestonin kundër masave të reja të kursimit.

Autoritetet e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe kokteje molotovi për t’iu përgjigjur protestuesve që sulmonin me gurë. Masat e reja shtrënguese përfshijnë 22 për qind ulje të pagave në sektorin publik, shkurtime, privatizime dhe taksa të reja.

Megjithatë, ministrat e Bashkimit Evropian thonë se paketa e re nuk është ende e mjaftueshme për huadhënësit ndërkombëtarë, për të miratuar ndihmën e re për ekonominë e trazuar greke. (LajmeShqip.com)