Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 13:01

Athinë- Teksti përfundimtar i planit për shpëtim, i dakorduar midis Greqisë dhe kreditorëve të saj nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, sot iu dorëzua tre liderëve të partive politike që e mbështesin Qeverinë, me qëllim që ta miratojnë në takimin e caktuar për pasdite, kumtoi partia konservative Demokracia e Re.

Versioni i fundit i tekstit të planit në 50 faqe është harmonizuar gjatë natës gjatë kohës së bisedimeve midis kryeministrit grek Lukas Papadhimos dhe “treshes” ndërkombëtare përfaqësues të Bashkimit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Dje qeveria e kryeministrit Lukas Papadhimos u dha para presionit të kreditorëve, duke pranuar të bëjë shkurtime në sektorin shtetëror, ndër të cilat 15 mijë vende pune që do të shkurtohen sivjet nga një total prej 750 mijë vendesh pune.

Ky vendim thyen një tabu shekullore në Greqi, ku vendet e punës në sektorin shtetëror janë mbrojtur me fanatizëm për të mos lejuar spastrime politike nga një qeveri, apo një tjetër që përpiqet të sjellë përkrahësit e vet në institucione.

Në opinionin publik grek vendimi është dënuar si luftë klasash dhe tregues i mospërfilljes që ka udhëheqja për popullatën.

Athinës zyrtare i duhet të qetësojë kreditorët e saj, në mënyrë që të finalizojë një marrëveshje prej 130 miliardë dollarësh nga eurozona dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe të sigurojë fondet për të shlyer pagesat e këstit të borxhit në mars. (LajmeShqip.com)