Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 19:46

Athinë- Partia djathtiste qendrore greke Demokracia e Re është favorite dhe ka mbështetje prej katër për qind më shumë nga PASOK-u socialist, tregojnë rezultatet nga anketa e fundit nga GPO.

Në pyetjen nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani 18,1 për qind e të anketuarve kanë thënë se do të votojnë për Demokracinë e Re, ndërsa 14,2 për qind për PASOK.

Sondazhi tregon një rritje të vogël të rejtingut të konservatorëve dhe një rënie të lehtë të socialistëve. Në anketën e mëparshme për Demokracinë e Re janë prononcuar 19,4 për qind, ndërsa për PASOK 13,1.

Rezultatet tregojnë se Partia Komuniste do të fitonte tetë për qind të votave, për partinë Deputetët e Pavarur shtatë për qind, SIRIZA – 6,2, E Majta Demokratike – 5,9, LAOS – katër, Agimi i Artë – 3,1, Aleanca Demokratike – 2,5 dhe 1,5 për qind Të Gjelbërit. Mesatarisht e lartë është  edhe përqindja e grekëve të cilët akoma nuk kanë vendosur për kë do të votojnë – 29,4 për qind.

Të anketuarit në pyetjen kush është më i përshtatshëm për funksionin e kryeministrit kanë theksuar se është lideri i PASOK-ut, Evangelos Venizelos, (24,3 për qind), i ndjekur nga lideri i Demokracisë së Re, Andonis Samaras (23,8). Por 50,4 për qind e të anketuarve kanë thënë se asnjëri prej tyre të dyve nuk është për kryeministër. Sondazhi tregon edhe se 41,2 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Kabinetit të kryeministrit aktual Lukas Papadhimos. (LajmeShqip.com)