Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 15:00

Athinë – Zjarrfikësit grekë po i spërkasin me ujë ndërtesat nga të cilat akoma po del tym, ndërsa ekipet e shërbimeve komunale po i pastrojnë mbeturinat nga nata e furishme në qendër të Athinës, revoltë e popullit pasi deputetët miratuan masat e reja të ashpra ekonomike për shpëtim të vendit nga bankroti.

Së paku 45 ndërtesa janë djegur, duke përfshirë edhe njërën nga kino-sallat më të vjetra, ndërsa dhjetëra shitore dhe kafene janë plaçkitur.

Në qytetin Volos iu vu zjarri ndërtesës së vetëqeverisjes lokale dhe asaj të shërbimit tatimor.

Trazirat filluan para votimit historik në Parlament për masat plotësuese për shtrëngimin e rripave. Prefekti i Athinës, Jorgos Kaminis deklaroi se dëmet e shkaktuara janë të mëdha.

Kundërmimi i gazit lotsjellës akoma është i pranishëm në ajër. Mbi 120 persona janë lënduar në demonstrata, në të cilat mijëra persona në Athinë dhe në qytete të tjera greke shprehën pakënaqësinë e tyre. Gjashtëdhjetë e tetë policë u plagosën gjatë trazirave, ndërsa së paku 70 demonstrues janë hospitalizuar. Gjashtëdhjetë e shtatë persona të cilët janë të dyshimtë për shkelje të rendit publik janë arrestuar.