Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 08:20

Hagë – Gjenerali kroat Ante Gotovina, i cili u dënua nga Tribunali i Hagës me 24 vite burg për krime lufte, kërkoi që të tërhiqet iniciativa për emërimin e një rruge në qytetin e Splitit me emrin e tij.

Partia Nacionaliste Kroate e të Drejtave propozoi në seancën e  Këshillit të qytetit të Splitit më 21 prill Ante Gotovina të shpallet qytetar nderi dhe një rrugë ose shesh në qytetin e Splitit të emërohet sipas tij. Për propozimin votuan 23 prej gjithsej 25 anëtarëve të Këshillit të qytetit, duke i përfshirë edhe përfaqësuesit e opozitës.

Këshilli i qytetit vendosi paraprakisht të kërkojë dakordim nga gjenerali. Gotovina iu falënderua qytetit të Splitit dhe të gjithë këshilltarëve të qytetit për iniciativën, mbështetjen dhe nderin që ia shfaqin. Megjithatë, ai kërkoi që shpallja për qytetar nderi të Splitit dhe emërimi i rrugës me emër të tij të shtyhen për kohëra më të mira.

Sipas anketës të gazetës së Splitit “Dalmacia e Lirë” 64 për qind e banorëve të qytetit janë dakord me iniciativën, 33 për qind janë kundër idesë së tillë, ndërsa vetëm 3 për qind janë të përmbajtur.